Cristiano Ronaldo nuk e ka ndërmend të ndalet.
Ylli portugez ka vazhduar të thyejë rekorde, të cilat do të jenë vështirë të arrihen në të ardhmen.
39 vjeçari u bë mbrëmë lojtari i parë në histori të futbollit që shënon gola nga gjuajtja e lirë në 23 sezone radhazi, shkruan “Gazeta Express”.
Këtë arritje, pesë herë fituesi i Topit të Artë e bëri në fitoren e Al-Nassr me rezultat 4:1 ndaj Al-Feiha, e vlefshme për xhiron e dytë të Saudi Pro League.
Me këtë rast, CR7 e shënoi golin e 64-t në karrierë nga faulli, duke e parë veten vetëm një gol prapa Lionel Messit në këtë aspekt.
Ky gol i bukur ia mundësoi ish-futbollistit të Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit e Juventusit të shkojë në kuotën e 899 golave në karrierë, një rekord absolut.
Ronaldo e kishte nisur karrierën profesioniste në vitin 2002 në Sporting Lisbonë dhe nga ajo kohë ka shënuar rregullisht për 23 sezone.
Gjatë eksperiencës së tij saudite, Ronaldo i ka shënuar 44 gola dhe i ka dhuruar 13 asistime në 45 ndeshje me Al-Nassr.
Së fundmi, pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve theksoi se do të luajë edhe 2-3 vjet para se të pensionohet.
Synim i tij është që ta mbërrijë numrin jubilar prej 1000 golash në karrierë dhe dëshirë e tij jetësore është të luajë me djalin e tij, Cristiano Junior. /Gazeta Express/