Ndonëse Ministria e Arsimit po subvencionon prindërit me mjete për blerjen e librave të rinj shkollor, ata po kërkojnë alternativa për të gjetur libra të përdorur, në mënyrë që mjetet e kursyera t’i shfrytëzojnë për gjëra të tjera. Kjo ka bërë që edhe në rrjetet sociale të qarkullojnë shumë postime ku individë të ndryshëm ofrojnë tekste shkollore të përdorura me çmime të ulëta.
Shqetësimi është ngritur në rrjete sociale nga mësimdhënësit. Ndërkaq, kp ka kontaktuar disa nga shitësit online të librave shkollorë të përdorur. Njëri nga ta ofronte tri libra bazë bashkë me fletore pune, dy botime nga shtëpia botuese “Dukagjini” dhe një “Albas”, në vlerë prej 10 euro. Derisa çmimi i të njëjtave, porse të reja është mbi 20 euro.
Po ashtu, një shitës tjetër ofronte dy libra të Gjuhës Angleze për klasën e dytë në çmim prej 6 eurove, derisa të rejat kushtojnë 13 euro.
Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku”, në Prishtinë, Visar Osmani e konsideroi si dukuri të keqe blerjen e librave të përdorura me çmime më të ulëta nga prindërit, në vend se t’i blejnë ato të reja.
“Mjetet janë ndarë për fëmijët t’i kenë librat e reja, jo të përdorura. Është një dukuri e keqe, edhe unë kam dëgjuar që ka tendenca të tilla, por ne nuk kemi ndonjë mekanizëm që mund ta ndalë atë se prindërit duhet të sigurojnë libra të vjetër apo të rinj. Por, meqë mjetet dedikohen për libra të reja, është njëfarë lloj veprimi i ulët që të dënohet fëmija, pavarësisht se ndoshta situatat ekonomike të ndryshme familjare e obligon prindin që ato mjete t’i dedikojë për diçka tjetër…Nuk kemi ndonjë rregullore apo vendim, nuk munden shkollat në mënyrë individuale të reagojnë. Nëse janë fizikisht të ruajtura, munden por thjeshtë është një veprim i ulët”, potencoi Osmani.
Po ashtu, eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se shpeshherë mjetet e ndara përmes subvencionimit nuk përdoren për qëllimin e tyre.
Sipas tij, kjo dukuri mund të ndodhë për shkak të gjendjes ekonomike të familjeve.
Pupovci potencoi se dedikimi i subvencionit janë blerja e teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore.
“Dedikimi i subvencionit janë blerja e librave dhe e mjeteve mësimore dhe normalisht ato para ishte dashur të shpenzohen për këtë dedikim. Ky është një ndër ato rreziqet e shpërndarjes së subvencioneve në Kosovë, sepse shpesh herë nuk përdoren për dedikimin e vet. Në radhë të parë për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve, nevojave të tyre në fushat tjera e kështu me radhë. Në parim, përdorimi i librave të cilat janë të përdorur e nuk janë libra me plotësim dhe i përgjigjen përmbajtjes së tanishme, nuk duhet të ishte problem…Por, natyrisht nëse ka pasur ndryshime ndërkohë që janë thelbësore, nëse tekste që janë më plotësim, një gjë e tillë nuk mund të bëhet. Mendoj se ata të cilët përcaktohen për të blerë libra, atëherë pjesën tjetër të mjeteve duhet ta shpenzojnë për mjetet mësimore”, thotë Pupovci.
Duket se kjo dukuri ka filluar që prej vitit të kaluar shkollor. Një prind tregon se kishte blerë vetëm tre tekste shkollore fëmijës së tij me mjetet e ndara nga MASHT-i, ndërsa librat e tjera i kishin siguruar të përdorura.
“Vitin e kaluar, a iu kanë kushtuar librat më shtrenjtë se sa mjetet e ndara. Jo, nuk kemi blerë vitin e kaluar. S’më ka rënë dy apo tre libra t’ia blejë, sepse ia kanë dhënë të vjetra”, thotë nëna e një nxënësi të klasës së gjashtë.
Të shtunën e 24 gushtit ka filluar shitja e teksteve shkollore nëpër librari.
Përndryshe, për secilin nga nxënësit filloristë nga klasa 1 deri në klasën e 5, në total do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët nga klasa 6 deri në klasën e 9, do të ndahen nga 110 euro.
Para pak ditësh, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka treguar se kanë aplikuar gjithsej 194 mijë e 180 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Kurse, janë subvencionuar 171 mijë e 200 aplikues.
Viti shkollor 24/25 do të fillojë më 2 shtator.