Një autobus nga Kosova nuk lejohet të futet në Serbi

(Lajm i përditësuar)

Një autobus nga Kosova nuk lejohet të futet në Serbi

Një autobus me udhëtar është kthyer mbrapa në pikën kufitare në Bërnjak dhe nuk është lejuar që të hyjnë në territorin e Serbisë.

Për rtv21.tv Zëvendësdrejtori i për rajonin e veriut, Veton Elshani ka treguar se kjo është bërë për shkak të mungesës të disa vulave.

Elshani tha se autobusi është kthyer nga Policia serbe.


Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.

Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.

Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.

Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.

Rojeviq tha në një intervistë për REL-in se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.


Më të fundit nga Jarinja, policia këshillon mërgimtarët të mos shkojnë drejt Serbisë

Policia e Kosovës është duke i kryer në vazhdimësi detyrat e saj në pikën kufitare në Jarinje, ndërkohë që serbët kanë paralajmëruar bllokimin e kësaj pike kufitare.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë parë të veshur me antiplumb, ndërkohë që prezentë janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilat janë duke vëzhguar situatën.

Raportohet se një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në largësi nga pika kufitare në pjesën e territorit të Serbisë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës po i rekomandon veturat me mërgimtarë që të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.


Pjesëtarë të KFOR-it edhe EULEX-it pranë pikës kufitare në Jarinje

Pjesëtarë të KFOR-it edhe EULEX-it janë parë pranë pikës kufitare në Jarinje. Ata po e vëzhgojnë gjendjen në terren ndërkohë që është paralajmëruar bllokimi i kësaj pike, së bashku edhe me të gjitha pikat tjera kufitare nga serbët në pjesën e territorit të Serbisë.

Qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare në Jarinje është duke u vazhduar pa probleme ndërkohë që pritet që serbët të bllokojnë këtë pikë kufitare nga pjesa e territorit të Serbisë duke filluar nga ora 18:00.


Gjendja aktuale në Jarinje

Qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare në Jarinje është duke u vazhduar pa probleme ndërkohë që pritet që serbët të bllokojnë këtë pikë kufitare nga pjesa e territorit të Serbisë duke filluar nga ora 18:00.

Kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës.

Bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.

“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq.

Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.

“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e  Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim./kp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *