Bashkimi Evropian është përballur me refuzime në mes Kosovës dhe Serbisë për ofrimin e informacioneve të ndërsjella lidhur me zbardhjen e sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit.
Sipas zyrtarëve të BE-së, megjithëse marrin parasysh refuzimin që u bë përmes deklaratave në media, me to nuk janë njoftuar edhe zyrtarisht. Sipas tyre, deri tash vetëm Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka ofruar informacione Kosovës, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Qeveria e Kosovës së fundi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në planifikimin dhe në organizim e sulmit të vitit të shkuar.
“Deri më sot, PSBE-ja (Përfaqësuesi i Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian) nuk ka marrë zyrtarisht asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në lidhje me rastin që e përfshin z. Radoiçiq dhe të tjerët. Mirëpo, ne kemi marrë parasysh deklaratat e dhëna për media nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës për refuzimin e kërkesës së Serbisë, me arsyetimin se është në kundërshtim me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale. Pasi EUSR-ja të marrë zyrtarisht përgjigjen e MD-së së Kosovës, ai do ta shqyrtojë atë”, ka thënë të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Nga ana tjetër, as Serbia nuk ka ofruar kurrfarë përgjigje mbi kërkesat që i pati shtruar Kosova në rastin, në të cilin është i përfshirë ish-nënkryetari i Listës Serbe, parti politike e serbëve në Kosovë.
“Siç u përmend më lart, në tetor 2023, autoritetet e Kosovës kërkuan që t’i transmetohet një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike autoriteteve të Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me rastin e z. Radoiçiq dhe të tjerët. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje për këtë kërkesë nga autoritetet serbe”, është shprehur Stano.
Ai ka shtuar se në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013 për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike, të ndryshuar në vitin 2015, Zyra e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë e lehtëson transmetimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë.
“Qëllimi i këtij mekanizmi është ta sigurojë bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë, dhe të lehtësojë qasjen në drejtësi për të gjithë, pavarësisht nga shtetësia apo vendbanimi i tyre”, ka thënë Stano.
“Në korrik, PSBE-ja mori një letër nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, e cila dërgoi një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike të Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit në lidhje me rastin Banjskë/Banjska. Bazuar në mandatin e tij, PSBE-ja në Kosovë ua ka përcjellë këtë kërkesë autoriteteve të Kosovës. Sipas mandatit të tij, PSBE-ja në Kosovë lehtëson vetëm transmetimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike. Nuk ka asnjë rol në vetë procedurën gjyqësore. EULEX-i në KOSOVË nuk ka mandat për të lehtësuar ndihmën e ndërsjellë juridike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Stano, raporton KOHA.