Dorëzimi i Radoiçiqit/ Hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, në “duart” e politikës? Aktakuzat askund!

Edhe më pak se një muaj mbushet një vit nga sulmi terrorist serb që ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë reshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku duke plagosur dy oficerë të tjerë.

Ndonëse kaluan 11 muaj nga ky sulm terrorist, Prokuroria e Shtetit ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për serbët e arrestuar si të përfshirë në ngjarje.

Për rastin e Banjskës është thënë se po bëhen edhe hetime ndërkombëtare, ndërsa Qeveria e Kosovës së fundi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në planifikimin dhe në organizim e sulmit të vitit të shkuar.

Nga ana tjetër, as Serbia nuk ka ofruar kurrfarë përgjigje mbi kërkesat që i pati shtruar Kosova.

Duke e komentuar këtë situatë, juristi Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se Serbia nuk do ta respektojë juridiksionin e Kosovës për t’ia dorëzuar Radoiçiqin shtetit tonë, pasi ky u fundit konsiderohet si hero nga Vuçiqi.

Kosova e konsideron se ka juridiksionin për t’u marrë me Radoiçiqin, andaj këto informacione i mban për vete dhe kërkon që Serbia ta dorëzojë në Kosovë sa më parë. Kjo nuk do të ndodhte asnjëherë, pasi Radoiçiqi vlerësohet nga Vuçiqi si hero serb i Kosovës”, shprehet juristi.

Ai thekson se tashmë, ka dështuar edhe bashkësia ndërkombëtare që ta dorëzojë tek institucionet e Kosovës.

“Serbia nuk është marrë me këtë temë për dorëzim asnjëherë; pra, ka pasur deklarata politike dhe jo gjyqësore. Pra, politika ka vendosur që ai të mbetet në Serbi dhe të shëtisë lirisht, pa u marrë me asgjë”, u shpreh Burjani.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ishte ai që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe aktualisht besohet se gjendet në Serbi, ndonëse Kosova ka kohë që e ka shpallur në kërkim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *