Këngëtarja e njohur shqiptare, Eliza Hoxha, ka bërë një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore pas pesë vitesh mungesë. Eliza, e cila u tërhoq nga muzika në vitin 2019 për t’u angazhuar në politikë dhe fitoi statusin e deputetes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka prezantuar projektin e saj të ri muzikor të titulluar “Pezull”.
“Pezull” është realizuar në kuadër të një projekti shumë special, i cili ka për qëllim të kujtojë dhe të ndërgjegjësojë publikun për fatin e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Muzika dhe teksti janë realizuar nga vet Eliza, gjersa orkestrimi i është besuar muzikantit të njohur Florent Boshnjaku. Ana vizuale e projektit është realizuar nga produksioni PinkMoon.
Në një deklaratë të Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur në rrjetet sociale thuhej: “Sot, ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur e shënojmë me projektin “Pezull”. Ky është projekt i përbashkët i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur dhe artistes Eliza Hoxha. Edhe sot kur ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga vitit 1999 duhet të përpiqemi në forma të ndryshme për ta, për familjet e tyre dhe rrëfimet e tyre… deri sa të gjindet i zhdukuri i fundit”.