Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka marrë kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në vlerë prej 47 milionë eurosh për financimin e Projektit për Reformën e Sistemit të Ndihmës Sociale të Kosovës.
Sipas një njoftimi të MFPT-së, qëllimi i projektit është përmirësimi i drejtësisë dhe përshtatshmërisë së rrjetit të mbrojtjes sociale të Kosovës. Përmirësimi i ekuitetit do të përfshijë përzgjedhjen e përfituesve të SAS bazuar në statusin e varfërisë.
Përmirësimi i përshtatshmërisë ka të bëjë me rritjen e kapacitetit të rrjetit të mbrojtjes sociale të Kosovës për t’iu përgjigjur ndryshimeve në nivelet e varfërisë në Kosovë si dhe goditjeve, përfshirë ato të shkaktuara nga klima, me qëllim te minimizimit te ndikimeve negative në nivelet e varfërisë së familjeve.
Në maj të vitit 2024, MFPT kishte filluar procesin e pilotimit të një mjeti të ri për identifikimin e familjeve të varfra që kanë të drejtë për mbështetje SAS.
Në vazhdim, reforma do të avancoj metodat e ndërveprimit ndërmjet Qendrave për Punë Sociale
(QPS) dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), e cila është përgjegjëse për koordinimin e shërbimeve të punësimit për përfituesit e SAS.
Kjo reformë do të shoqërohet me mbështetje për integrimin e përfituesve të SAS në tregun e punës. Kombinimi i këtyre faktorëve do të rrisë kërkesën për shërbimet e ofruara nga APRK dhe do të kërkojë përmirësimin e koordinimit ndërmjet QPS-ve dhe APRK-së.
Në këtë kontekst, MFPT synon të punësojë 40 këshilltarë të punësimit (të shpërndarë në të gjitha komunat e Kosovës) për një periudhë 12-mujore për të rritur kapacitetin e Zyrave të Punësimit gjatë zbatimit të Programit Pilot për Aktivizimin e përfituesve të SAS, si pjesë e planeve të Qeverisë për reformën e SAS. Programi Pilot për Aktivizimin do të zbatohet në koordinim me Skemën e Garancisë për të Rinj.
Sipas njoftimit detyra pritet të zgjasë 12 muaj (tetor 2024 – shtator 2025).
Këshilltarët e punësimit do të paguhen çdo muaj me një tarifë prej 561 EUR (paga bruto, përfshirë të gjitha kontributet e pensionit dhe taksat).
Këshilltarët e punësimit pritet të kene një prani të rregullt fizike në Zyrën e caktuar te Punësimit gjatë periudhës së kontratës.
Shprehjet e interesit duhet të dorëzohen në version elektronik në adresën e mëposhtme (me e-mail) deri të mërkurën, më Shtator 04 2024, deri në orën 16:00.