Miratohet Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor

Qeveria e Kosovës të mërkurën e miratoi Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm Shëndetësor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po synohet që të merren vendime që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve.

“Do të marrim vendime të tjera të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e qytetarëve tanë, pa dallim. Ndër to është edhe propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit për sigurime shëndetësore. Andaj ku ka më mirë sesa ta fillojmë rendin e ditës pikërisht me këtë punë, pra shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor. Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësor”, tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e quajti këtë si “hap themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë”.

“Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Vitia tha se për herë të parë do të përcaktohen “rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do ta transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti e jep për qytetarët, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet”.

“Zbatimi i këtij ligji, natyrisht, do të jetë natyrisht një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë dhe me të po e japim në të tashmen mbështetjen më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e shpenzimeve për çështje të shëndetit”, tha Vitia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *