Policia e stacionit në Shtërpcë mesditën e djeshme ka pranuar informatën se në Brezovicë të Shtërpcës është një rast i dhunës në familje dhe kanosjes.
Policët e rendit dhe hetuesit policorë të Njësisë së dhunës në familje dolën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan të dyshuarin, mashkull kosovar, 49-vjeçar, i cili në gjendje të dehur kishte shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij dhe më pas kishte kanosur edhe babën e saj (vjehrrin).
Gjatë hetimit të rastit, policia ka pranuar informatën se vjehrri i të dyshuarit posedon armë zjarri dhe te personi mashkull, kosovar, i moshës 73-vjeçar, është gjetur një pushkë gjysmautomatike me 10 fishekë.
Ndaj tij është iniciuar rasti “’Mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armëve”’ dhe është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, i dyshuari për dhunë në familje dhe kanosje është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të tjera hetimore.