Serbia nënshkruan marrëveshjen me Francën për blerjen e 12 aeroplanëve “Rafale”

Serbia ka nënshkruar një kontratë për t’i blerë 12 aeroplanë luftarakë “Rafale” nga Franca të enjten, gjatë një vizite që presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë në Beograd.

Si pjesë e marrëveshjes, Serbia do t’i marrë nëntë aeroplanë me nga një ulëse dhe tre me nga dy, deri në vitin 2029. Në konferencën e përbashkët për media, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja ka vlerë rreth 2.7 miliardë dollarë.

Aeroplanët luftarakë francezë është thënë se do t’i zëvendësojnë “MIG-ët” rusë.

Në prill, Franca pati kushtëzuar transaksionin me Serbinë për këta aeroplanë me rishikimin e raporteve të Serbisë me Kinën dhe vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Po ashtu ishte thënë se kërkesë e Francës ka qenë edhe zbutja e tensioneve e normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Investimet e Serbisë në blerjen e armëve kanë qenë në rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Nga viti 2012 deri në vitin 2023 buxheti ushtarak i Serbisë u trefishua duke arritur në 1.4 miliardë euro. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2023, Serbia ka shpenzuar 2.67 miliardë euro për blerjen e armëve – kryesisht për blerjen e sistemit kundërajror kinez FK-3 dhe helikopterëve rusë Mi-17 e Mi-35.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *