Skepticizëm për progres në dialog pavarësisht paralajmërimeve për vizitë të Lajçak

Progresi në dialog vlerësohet se do të jetë i vogël, përkundër që gjatë kësaj jave emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë. Ani pse i njëjti ka paralajmëruar një raund të ri të dialogut në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, njohësit e procesit të dialogut thonë se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit do të jetë i vështirë, derisa Kosova është në një vit elektoral dhe Serbia refuzon nënshkrimin e marrëveshjes.

Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se deri në mesin e vitit 2025 nuk pret të ketë diçka konkrete drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne jemi në një vit elektoral dhe kësaj qeverie dhe asnjë qeveri tjetër nuk do t’i konvenonte që çështja më së paku mbështetje popullore siç është Asociacioni të krijohet para këtyre zgjedhjeve. Por është lejuar që në qeverinë e ardhshme apo kushdo që të jetë e pjesë e koalicionit të ardhshëm të themelojë Asociacioni, pasi ajo tashmë është pranuar nga kryeministri Kurti…Mendoj se nuk mund të ketë konkrete diçka për faktin se Kosova është në vit elektoral dhe se zgjedhjet tashmë dihet se do të mbahen në 9 shkurt, kurse konsolidimi i qeverisë merr kohë deri mars 2025. Kështu që deri në mesin e vitit të ardhshëm nuk pritet diçka konkrete drejt zbatimit të marrëveshjeve”, thotë ai.

Ndërkaq, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se emisari Lajçak nuk do të ketë hapësirën që e ka pasur më herët në dialog, me emërimin e Kaja Kallas si shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Megjithatë, ai thotë se ndërkombëtarët po insistojnë të ketë lëvizje konkrete drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Sipas tij, ky presion mund të prodhojë diçka pozitive gjatë muajve në vijim që të ketë lëvizje drejt zbatimit të ujdive.

“(Ndërkombëtarë) E kanë vetëm një kërkesë me zbatua marrëveshjen pasi zbatimi i saj e qetëson Kosovën dhe rajonin, njëkohësisht e integron Kosovën në familjen perëndimore. S’besoj se ka kthim tjetër, nëse se bën kjo qeveri e bën një qeveri tjetër, pasi është një zotim shtetëror…S’besoj se zotëri Lajçak do të ketë atë fuqi apo hapësirën që e ka pas më herët. Ministrja e Jashtme e BE-së, tashmë zonja Kallas ka një qasje më të thellë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Pres që ky presion i madh që po i bëhet të prodhojë një momentum pozitiv që në shtator dhe tetor para zgjedhjeve në ShBA të kemi një përshkrim të stabilizuar të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Të ketë një pikë referimi që këto vende kanë filluar normalizimin”, shton ai.

Në lidhje me vizitën e Lajçak, ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit, Besnik Bislimi, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.

Ditë më parë, emisari Lajçak ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë si dhe një raund të ri të diskutimeve në nivel të kryeneogciatorëve në Bruksel./kp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *